e martë, 19 korrik 2011

Pakëz dritë kujtimit të tyre



Nga STEFAN MARTIKO
Në kujtimet e fëmijërisë fakte ose dukuri të veçanta shndërrohen në qendra të një universi rreth të cilit rrotullohen ngjarje yllësi të tjera më të largëta e dalin prej kujtesës për shkak të një zinxhiri rastësishë e rrethanash të pafundme. Njerëz të thjeshtë por që i mbuloi drita në sarkofaget e tyre prej xhami. Nxitja për t'ia shkulur përfundimisht harresës nuk erdhi prej lidhjeve të mia personale me ta. Diçka tjetër më e thellë ndosha, krimi që bëhet duke i mbuluar gjithë të vdekurit me po atë dhe me po ato aleluja që i hap shtegun gjithkujt për në botën e përtejme. Prej frikës se kjo mund të vazhdojë të ndodhë pambarimisht më duhet ta ndaloj këtë dorë që vazhdon të mbulojë me po atë dhe jetët tona të dikurshme.
POLO QOFIRI
 Ishte i çalë me një takije të zezë mbi kokë dhe me një shkop të lëmuar mirë që rrallë e lëshonte nga dora. Ashtu të mbështetur te ana e jashtme e lëmit prej guri të rrapit e shoh përherë mes një grumbulli burrash duke u bërë qendra e bisedave nga më të ndryshmet. Një autoritet i padeklaruar as i rrëmbyer me forcë por i imponuar vetvetiu. Ai nxehej shpesh me padijen kokëfortë dhe e qëllonte me shkopin e tij duke nxjerrë shkëndija prej gurit. Jo fantazia por përfytyrimi im tashmë ka arritur ne atë pikë ku e vërteta mund të pohohet dhe vetëm në pak fjalë . Ky njeri me një kujtesë gati të jashtëzakonshme më ndërmend Funesin e Borgesit në tregimin me po të njëjtin titull. Polua sot duhet të ishte rreth 100 vjeç. Kur diskutohej per gjeopolitikën ai korrigjonte me një saktësi të çuditshme çdo fakt. Shtetet dhe popujt ishin për të jo thjesht një pasuri e kujtesës së tij por edhe një shkak më shumë për ta shpjeguar botën. Dhe ai e mbillte këtë farë në mendjet tona të vogla si fëmijë kureshtarë që për aq sa na lejohej kapnim kalimthi këta fragmente bisedash. Ky intelekt i kolauduar mirë e kish shndërruar atë në një kockë të fortë dhe përherë ky burrë thatim më është dukur si të ishte i tëri i zhveshur prej mishit. Këtë trysni bën dija te njeriu, shkrinë dhjamrat e panevojshëm dhe i ngjesh palcën te kocka. Shkopi i tij sa herë tundej egërsisht ne ajër. Atë e tmerronte injoranca që këkonte të imponohej. Dhe atëhere bota ishte e mbushur me ngjarje të mëdha sa në Kore, Karaibe, Algjeri, Vietnam, Kongo, Fideli, Patris Lubumba, Ben Keda, Kim Irseni. Prej këtej do të dilte një hartë e re e botës dhe këtë para se ta lexonim nga shtypi, Polua ia tregonte secilit nga ne në një mënyrë të thjeshtë por njësoj të besueshme.
Polua mbante me vete përherë një thikë të mprehur mirë varur në rripin e mesit. Gjeoplitikani shndërrohej më vonë në një artist shijehollë të gdhendte në dru fyej e lodra të tjera muzikore. Po them se ishte i pakrahasueshëm, i përpiktë si ata që dijnë ta kthejnë dijen në art. Linte shkopin mënjanë dhe niste të gdhendte një fyell të tillë prej druri që për fat të keq në ruhet ndonjë i tillë me siguri që reliket e tij kanë humbur. Ky njeri e jetonte jetën intesisvisht dhe ndonëse punonte në mirëmbajtjen e rrugëve, ai e kishte bërë të qartë se ky ishte thjesht një aksident.
JANAQ SHQEVI
Jetonte në Vlorë por vinte shpesh në fshat për të takuar nënën dhe sigurisht edhe për të ngritur ato grackat e tij ku kapte mëllenja. Kështu e kujtoj atë burrë me një mendje të kthjellët fëmije, me një pafajësi të tillë sikur donte të të thoshte Edhe kjo që po u them tani ka për autor një tjetër. Për nga profesioni gjeometër më kanë treguar se bënte punën e një inxhinieri. Aty nga vitet '70 në kohën e burokracisë e transferuan familjarisht në fshat dhe njohja ime me të u thellua. Nuk kish qenë kurrë njeri i politikës dhe në atë klimë të nxehtë ideologjizmi, s'e dëgjova kurrë të përmendte fjalë të tilla militantësh si parti, Enver etj. Ishte një zog i lirë dhe ndoshta ky ka qënë një shkak më tepër për ta transferuar nga Vlora në Shën Vasil.
E kisha kuptuar se mbi shpinën e kërrusur rëndonte një peshë e çuditshme, gati e pazbërthyeshme. Ato kohë kish filluar letër këmbimin me një revistë të ilustruar kineze. Shkruantë kinezçe por sigurisht që lexonte e shkruante edhe në gjuhë të tjera. Por me kinezçen ç'kishte. Ndoshta donte të provonte të pamundurën. Dhe ia arriti. Ky njeri - Kam thënë shpesh me vete - s'ka qënë kurrë në vendin e vet, më shumë i tjetërkëtueshëm dhe i tjetërkohshëm, duke ecur jo trup po hije. Kish ndalur në fshatin e tij të lindjes duke e pranuar si fakt por duke mos humbur interesin për asgjë që nxiste e shprehte intelektin e tij. Besoj se ishte vërtet një rast krejt i veçantë që të shpikej një kinezolog e ku pikërisht, këtu në Shën Vasil. Përmes fjalëve të zgjedhura e të menduara mirë Janaqi dukej se mbante nën kontroll veten prej ndonjë shpërthimi që s'mund të ishte pa pasoja.
Këta njerëz mbushin peizazhin e ditëve të fëmijërisë sime dhe si me një çelës magjik zbërthejnë harresën duke i dhënë kujtesës sime lirinë. Sepse si në rastin e Janaqit unë shoh si veçohet njeriu si individualitet duke e shkeputur atë nga turma. Janaqi përmes shembullit të vet kthehej në një oaz dije e kulture. Ajo botë e vogel e provincës bëhej më e madhe, ankorohen anije e ulen avionë, bien sirena të shumta dhe ushqehet kështu fantazia njerëzore për të mos mbetur skllave e përditshmërisë, kjo e keqe që e ha si mola perspektivën tonë e zhduk prej peizazhit horizontet.
KLEANTH PLAKU
Komshiu i shtëpisë sime të fëmijërisë, një karakter që ngërthen më mirë se kushdo tjetër kohën. Babai i tij Gjika ishte burri për të cilin do të flisja shumë por unë kujtoj makinën e vjetër në oborr të shtëpisë së tyre mbetur aty që nga koha e luftës. Barba Gjika ishte pronar por nga tërë ajo çka pati i mbeti kjo karkalle e vjetër si dëshmi e ndërrimit të kohëve.
Anthi vinte ashtu i imët por plot energji dhe ideologët i çarmatoste me skepticizmin e vet. Intelekti tek ai shfaqej i qetë jo në mënyrë impulsive, por përherë nën një maskë sarkazme të lehtë ku në të vërtetë nuk peshoheshin dot aq rënde gjërat të fryra aq tepër nga propaganda. Ai u sollë kartpostale nga Tirana në Shën Vasil së bashku me familjen dhe më pas u degdis në Rrëzomë si agronom i kooperativës. Kur u kthye prej andej nga që ambienti përreth nuk i mjaftonte për tu shfaqur, grumbullonte rreth vetes të rinjtë dhe u mësonte italishten. Ishte njëfarëlloj nxjerrjeje dufi. Por as kjo nuk mjaftonte. Atëhere shtoi pijen dhe iu thelluan problemet në familje. Intelekti i tij u vu në një provë të përbindshme. Nuk fitoi dot fizikisht dhe vdekja e mori shpejt pa mbushur të pesëdhjetat. Por unë kam parë tek ajo jetë e shuar aq herët një shembull.
Dhe ai le të jetë i lirë për të dëshmuar se si njeriun e sulmuar prej rrethanave, nuk do të thotë se ato e kanë mundur. Komshiun tim të urtë e kam pare përmes tërë atyre tallazeve, të bëjë një luftë që ai e dinte se një ditë do ta humbiste. Më vonë siç ndodh rëndom me jetën e atyre njerëzve që mbeten të pakuptueshëm për kohën kur jetojnë, ata kthehen në vet tragjedinë e  kohës. Në Tiranë, në Ministrinë e Bujqësisë ku punonte , ai ishte një nga kuadrot më të aftë të sektorit metereologjik. Por ndoshta nuk duartrokiste shumë ose hiç fare, ndoshta s'dinte të bënte lajka për askënd veç se u besonte talentit dhe aftësive të veta dhe kaq është e mjaftueshme në një sistem si ai që kaluam për të të varrosur. Anthin në fakt e vdiqën, ia rrënuan jetën para kohe, e syrgjynosën. Por në trupin e mendjen e këtij njeriu të mrekullueshëm shpërthenin bisqe të rinj sepse ai zotëronte atë që u mungonte të tjerëve, një shpirt të paepur, të lirë e antikomformist.
Në shtëpinë e tij, një nga më të mbajturat në fshat ku unë kam bujtur sa e sa herë jetonte nëna e tij hallë Lluza siç ne e thërrisnim. E dëgjoja shpesh vajin e saj, kur vija me pushime në fshat, në atë kohë dreke të nxehtë të verës. Nën fëshfërimën e degëve të hardhisë që mbulonte krejt oborrin e tyre, më tingëllonte edhe më e thellë humnera e humbjes. Ajo e qante Anthin, të birin saj të vetëm me ligje siç dinte vetëm ajo të qante. Koha atë çast ngrinte por nën të gurgullinte një lumë i nëndheshëm që vetëm një zot e di se si mbërrinte gjer këtu tek ne prej botës së të vdekurve. Të gjallët po u shlyenin borxhet te vdekurve të tyre të shtrenjtë, por edhe kjo s'ishte gjë po të mendosh se për më tepër ata vinin gjer këtu për të pastruar jetën nga harresa dhe për t'i rikthyer asaj fisnikërinë.
MINA (MINELLA) MARTIKO
Im kushëri me ikjen e tij të shpejtë nga jeta i la çdokujt një brengë. Dhe unë e kam një të tillë prej tij. Kur isha kursant në Shkollën e Bashkuar ai erdhi e më takoi pas një udhëtimi të largët jashtë shtetit me anijen ku punonte si inxhinier. Më dha edhe 500 lekë që për atë kohë ishin shumë. Vetëm një njeri fisnik bën vepra të tilla bujare... Por nuk është as ky shkaku që unë për të po shkruaj. Ai la një vragë të thellë në ndërgjegjen e shumë njerëzve, të atyre që i shkatërruan jetën por edhe ndaj indiferentizmit njerëzor, sidomos të atyre letërshkruesve që endnin netve pëlhurën e merimangës mbushur me cmirë e urrejtje njerëzore. Ata e kryen krimin por nuk i lanë kurrë duart qoftë edhe si Pilati. E hoqën nga puna prej Flotës Detare dhe përfundoi në fshat. Një inxhinier i detrave tani punonte në ara me nënën e tij duke prashitur misrin. Po vallë ç' bëjnë tani ata persekutorët e tij?
E kam si tani parasysh tim kushëri tek e përballoi me stoiçizëm edhe këtë goditje të fatit. Mbeti po ai njeri i urtë e flalëpak, një figurë që bënë dritë nga larg, që lutet e përpiqet për mirësi njerëzore, Për shkak të kësaj drite rrezatuese ai më shfaqet sa e sa herë ne përfytyrimet e mia. Një sportdashës i mrekullueshëm i Partizanit por edhe i Kombëtares sonë. Çdo të shtunë një ditë para ndeshjeve të kampionatit ai i dërgonte me telegram formacionin e Partizanit, trajnerit të famshëm Loro Boroçi. Duken gati si të krisur këta njerëzit e provincës, por me botë e zemër te madhe. Minai vdiq shpejt prej një ataku në zemër. Koha u tregua me të e padrejtë por ai e përfaqësoi atë me intelektin e vet, me mirësi e vlera të tjera njerëzore e njëherësh edhe si martir i saj.
Me këta pak rreshta desha t'u bej pakëz dritë kujtimit të këtyre njerëzve. Ndriçoftë shpirti e shembulli i tyre.

2 komente:

  1. Pershendetje zoti Stefan.Me shpirtin dhe penen Tuaj prej nje shkrimtari tashme te konsoliduar keni shlyer nje detyrim moral te te gjithe shenvasioteve, besoj pa perjashtim, per bashkefshataret tane qe do te ngelen perjete mes nesh.Njeqind here ju lumte Stefan!!! Sevo Rroshi.

    PërgjigjuFshije
  2. Pershendetje Z. Stefan,
    Uroj nje vit te mbare e plot shendet per ju dhe familjen tuaj.
    Rastesisht u ndesha me blogun qe keni krijuar dhe nisa te lexoj me kersheri per njerezit per te cilet ju keni shkruar. Edhe pse nuk i njoh shumicen prej tyre, jam e familjarizuar me emrat dhe ndonje histori qe kam degjuar nga te moshuarit e fshatit per ta.
    Duke lexuar ne vijim, u ndesha me emrin e babait tim, Kleanth Plaku. Faleminderit qe e keni pershkruar kaq te vertete dhe per emocionet e bukura, qe me sollet duke lexuar per te.
    Perzemersisht!
    Juni Plaku ( vajza e trete e Anthit)

    PërgjigjuFshije