e shtunë, 12 shkurt 2011


Shen Vasili dhe Riviera e lukoves

SHEN VASIL -Një rrap në qendër dhe një "vend i mirë" ku mund të ndezësh qirinj për të vdekurit dhe të gjallët, e dallojnë fshatin Shën Vasil të Komunës së Lukovës, nga të gjithë fshatrat e tjerë të rrugës së rivierës, dikur degëzim i rrugës "Egnatia", e cila lidhte Romën e lashtë me Ilirinë e jugut ose Epirin, dhe tokat helene.
Kambanat e një kishe në majën e kodrinës në të djathtë të rrugës, të cilat tunden nga dy plaka të veshura me të zeza, janë thirrja e vetë fshatit, sikur të donte të tregonte historinë e tij të djegur dy herë. Nga Ali Pasha i Janinës, në vitin 1798 dhe nga komunistët, në vitin 1970. Inati i komunistëve duket të ketë qenë më i madh se i Ali Pashës, pasi për më shumë se 30 vjet ata i ndryshuan emrin, duke e quajtur fshati Përparim. Minella Gjoni, mësuesi i fshatit tregon se ka shkruar 2 libra rreth historisë së vendlindjes së tij, madje tradita është transmetuar edhe tek e bija, e cila ka botuar një tjetër libër për mitet e zonës, të përbashkëtat dhe ndryshimet me mitet e vendeve fqinje. "Ky rrapi këtu po i afrohet moshës 200-vjeçare. Është e vetmja dëshmi e gjallë e jetesës dhe historisë në fshatin Shën Vasil. Historia e emrit lidhet me atë kodrën atje lart", - të thotë Minella, duke treguar nga një kishë e vogël që nga ndërtimi duket se është e viteve të postkomunizmit. Mësuesi tregon se ka gjurmë dhe dëshmi të jetesës në këtë fshat qysh në shekullin e II-të, ndërsa nga hulumtimet e kryera në arkivat e ish-Perandorisë osmane, në shekullin e XIV fshati banohej nga banorë me mbiemra katolikë. "Kjo tregon dhe origjinën e banorëve, të cilët mendohet se janë shqiptarë autoktonë katolikë", - tregon mësuesi duke vijuar se në shekullin e XVI-XVII, kalimi nën Perandorinë bizantine solli asimilimin e banorëve në fenë e perandorisë ortodokse. "Ishte kjo feja e banorëve të Nivicës, Shën Vasilit e Himarës, në kohën kur Ali Pasha synonte konvertimin e tyre në myslimanë, pasi vetëm kështu mund të ishin më të bindur ndaj Portës së Lartë, së cilës i shërbente me devotshmëri në atë kohë", - vazhdon rrëfimin e tij mësuesi. "Ali Pasha tregoi dinakërinë e tij, kur në ditën e Pashkës së Madhe të vitit 1998, hyri nga shpella, vendi ku ndodhet sot plazhi me të njëjtin emër, dhe dogji e shkatërroi fshatin. Ali Pasha dogji edhe manastirin në majë të kodrinës, i cili i kishte dhënë emrin fshatit. Me gurët e manastirit, Ali Pasha ndërtoi një kala të njëjtë me atë të Lëkursit në Sarandë, madje dy kalatë kishin pamje nga njëra-tjetra", - tregon me pasion mësuesi, duke shtuar se banorët që shpëtuan, u dërguan si skllevër në tokat e Ali Pashës në Greqi, ku shumica vdiqën nga malaria dhe sëmundje të tjera. "Zoti deshi që një pjesë e banorëve të ktheheshin sërish në fshat, dhe punën e parë që bënë, ngarkuan një grua të mbillte një rrap i cili sinjalizonte rilindjen. Rrapi është edhe sot, dhe është tregues i shpresës se edhe pas shkatërrimit ka ende jetë. Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në vitin 1970 dikujt iu mbush mendja se me gurët e kalasë që ekzistonte ende, mund të bënte një shkollë 8-vjeçare. Dhe kështu ndodhi, ish-gurët e manastirit me të cilët ishte ndërtuar kalaja, u spostuan dhe me ta ndërtuan shkollën që ekziston sot, por që mori në muret e saj krejt historinë e fshatit...", - përfundon tregimin e tij mësuesi.
Komuna e Lukovës
Pakkush e di që plazhet e shtatë nga 9 fshatrat e Lukovës përfshijnë gati 60 për qind të vijës bregdetare të Jonit. Përfshirja konsiston në 154 km në vijë lineare me plazhe të ndryshme; nga ato të hapura, masivet, shkëmboret e deri tek më ekzotiket, shumica ende të pashkelura nga turistët. Pamja e mrekullueshme që të shfaqet sapo ke kaluar Shen Vasilin në rrugën e Rivierës, tregon se sapo je afruar në plazhin e shpelles, në një nga plazhet më të bukura të zonës. Nga rruga mund të shikosh apo të zgjedhësh rrugicat gjarpërushe që të çojnë në plazhin e Bunecit, plazhin e Shpellës, Plakoto, Krorëz, ku ndodhet dhe Manastiri i Shën Mërisë, pjesë e Triadës së Shën Mërisë, plazhi Heremet, si dhe plazhi i Kakomesë. Muaji maj është fillimi i "pranverës" për këtë zonë. Të rinjtë kthehen nga Greqia ku punojnë në stinët e tjera të vitit, ndërsa kanë filluar të mbërrijnë pushuesit e parë. Por, historia është vetëm A-ja e asaj që ofron kjo zonë. Pamja që ofrohet është përrallore, saqë thua se ia vlen "të hash" gjithë atë pluhur që ngrihet nga rruga në proces ndërtimi. Ujërat e kristalta përplasen në pasqyrë me vargmale të formave dhe llojeve nga më të ndryshmet, duke gërshetuar klimën e turizmit malor me plazhet ranore, zallore dhe shkëmbore. Një panoramë e tillë mbetet oferta më e mirë që bëhet nga banorët e rivierës, edhe pse duket se ata vetë kanë filluar të bëjnë përpjekjet e para për një turizëm bashkëkohor. Trokitjet e çekiçëve dëgjohen thuajse nga të gjitha lokalet dhe hotelet e zonës së plazhit, por edhe në banesat që do të hapen për pushuesit. Të zotët janë duke u dhënë dorën e fundit restaurimeve, të cilat duket se nuk kanë ndonjë ndryshim të madh me vitin e kaluar.
Gazeta shqiptare

1 koment:

  1. Fshati Shen Vasil i shtrire ne Qafen me te njejtin emer(Qafa e Shen Vasilit)ka qene historikishte pike nevralgjike e kryqezimit te rrugeve te ndryshme.Ne kete qafe kalonte aksi rrugore shume i rendesishem ai i lidhjes se Janines me Himarten.Fragmentet e rruges me kalldrem ne Jorgucat e ne Qafe te Muzines te cilat vijonin per ne Delvine (ne ate kohe qender shme e rendesishme tregtare e administrative)vazhdojne drejt Rusanit,ne Rrapin e Gjate, ne Bajkajin e sotem,ne fusht te Shen Vasilit ku ishin dy mullinj bluarjeje drithi vazhdojne ne Cereta,bri perroit te Siodelit e ne Qafe te Kores.Vazhdon me rrugen e soteme deri ne Qafen e Hanit ku ishte Hani i Shen Vasilit qe u sherbente karvaneve si pike shpelodhjeje.Vijonte rruga me kalldrem ne ane te shtepise se Sokrat Qirjako Mekshit ne breg te Gurrezes dhe zbriste ne Va te Petes,faqes e dilte ne Cakulez dhe pak a shume ndiqte rrugen e sotme ne Qafe te Pazarit e ne qafe te Shen Kostandinit, ne ure te Honit e ne Lukove e keshtu deri ne Himare.Fragmente te kalldremit te asj kohe gjenden dhe sote ne shume vende te ketij aksi.
    Nga Sevo Rroshi 25.02.2010.

    PërgjigjuFshije